Secondary Adv

Shqipëria, rekord në Europë për peshën e bar-kafeneve në ekonomi, e treta në raport me popullsinë

Shqipëria vijon të dallohet në Europë për numrin e lartë të bareve, restoranteve dhe bizneseve të shërbimit ushqimor.

Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2023, më shumë se një në tetë biznese në vend operon në këtë sektor, duke e renditur Shqipërinë të parën në Europë për peshën e tyre në ekonomi.


Të dhënat e Eurostat, të përpunuara nga “Monitor”, tregojnë se aktivitetet e bareve, restoranteve dhe shërbimeve ushqimore përbëjnë 12.28% të numrit të përgjithshëm të ndërmarrjeve në Shqipëri. Ky është niveli më i lartë ndër vendet europiane të analizuara dhe rreth 2.6 herë mbi mesataren e Bashkimit Europian, që është 4.73%.


Shqipëria lë pas vendet e rajonit dhe Europës

Pas Shqipërisë renditet Serbia, ku sektori i shërbimeve të ushqimit dhe pijeve përfaqëson 8.43% të ndërmarrjeve, e ndjekur nga Greqia me 8.25%, Spanja me 7.51%, Kroacia me 7.28% dhe Turqia me 7.05%.


Në Maqedoninë e Veriut ky sektor zë 6.57% të bizneseve, në Qipro 6.18%, ndërsa në Itali dhe Gjermani përkatësisht 5.83% dhe 5.81%.


Në skajin tjetër të renditjes janë ekonomitë më të orientuara drejt industrisë, teknologjisë dhe shërbimeve të specializuara. Në Lituani, baret dhe restorantet përfaqësojnë vetëm 1.19% të ndërmarrjeve, në Estoni dhe Letoni 1.97%, në Poloni 2.11% dhe në Norvegji 2.26%.


Mbi 15 mijë bare dhe restorante në vend

Në Shqipëri rezultojnë të regjistruara 15,445 ndërmarrje në kategorinë NACE 56, ku përfshihen restorantet, aktivitetet e lëvizshme të shërbimit ushqimor, kateringu, baret, kafenetë dhe shërbimet e tjera të pijeve.


Numri i përgjithshëm i ndërmarrjeve në aktivitetet ekonomike të mbuluara nga statistikat e Eurostat arrin në 125,737. Kjo do të thotë se më shumë se një në çdo tetë biznese shqiptare operon në sektorin e ushqimit dhe pijeve.


Nëse përfshihen edhe 2,517 ndërmarrjet e akomodimit, numri total i bizneseve në sektorin e akomodimit dhe shërbimeve ushqimore arrin në 17,962, ose 14.3% të të gjitha ndërmarrjeve në vend. Edhe sipas këtij treguesi, Shqipëria renditet e para në Europë, e ndjekur nga Greqia me 11.6%, Serbia me 9.2% dhe Portugalia me 8.9%.


E treta në Europë për numrin e bizneseve për banor

Edhe kur numri i bareve dhe restoranteve krahasohet me popullsinë, Shqipëria mbetet ndër vendet me përqendrimin më të lartë në Europë. Në vend ka 6.63 biznese të këtij sektori për çdo 1,000 banorë, duke u renditur e treta.


Greqia kryeson me 7.4 ndërmarrje për 1,000 banorë, ndërsa Portugalia renditet e dyta me 6.95. Pas Shqipërisë vijnë Qipro me 6.02, Spanja me 5.41, Italia me 4.57 dhe Kroacia me 4.54.


Mesatarja e Bashkimit Europian është vetëm 3.5 ndërmarrje për 1,000 banorë. Shqipëria ka pothuajse dyfishin e bareve dhe restoranteve për banor krahasuar me mesataren europiane, ndërsa diferenca me rajonin është edhe më e madhe. Serbia numëron 2.69 biznese për 1,000 banorë dhe Maqedonia e Veriut 2.43, çka do të thotë se Shqipëria ka rreth 2.5 herë më shumë biznese të këtij lloji për banor se Serbia dhe rreth 2.7 herë më shumë se Maqedonia e Veriut.


Një model biznesi i mbështetur tashmë edhe nga turizmi

Dominimi i bareve dhe restoranteve nuk është një fenomen i viteve të fundit. Prej dekadash, ky sektor ka qenë një nga aktivitetet më të përhapura në Shqipëri, falë kapitalit relativisht të ulët fillestar, hyrjes më të lehtë në treg dhe kulturës së konsumit të kafesë dhe socializimit jashtë shtëpisë.


Në mungesë të një industrie të zhvilluar dhe të alternativave më të shumta për investime prodhuese, një pjesë e konsiderueshme e kapitalit familjar është orientuar drejt tregtisë dhe shërbimeve. Vitet e fundit, rritja e turizmit ka zgjeruar më tej kërkesën për bare, restorante dhe shërbime ushqimore, sidomos në Tiranë, në bregdet dhe në destinacionet turistike.


Megjithatë, kërkesa mbetet e përqendruar kryesisht gjatë sezonit veror, duke i bërë shumë biznese të varura nga disa muaj aktivitet intensiv.


Treg i madh, por i fragmentuar

Numri i lartë i ndërmarrjeve nuk do të thotë domosdoshmërisht se sektori ka peshë të madhe në prodhimin ekonomik apo në vlerën e shtuar. Pjesa më e madhe e bareve dhe restoranteve janë biznese të vogla, shpesh familjare, me pak punonjës dhe me qarkullim relativisht të kufizuar.


Fragmentimi i tregut ka rritur konkurrencën, ndërsa operatorët përballen me kosto më të larta për ushqimet, energjinë, qiratë dhe pagat. Një tjetër sfidë është mungesa e fuqisë punëtore, që ka detyruar shumë biznese të rrisin pagat, të punësojnë shtetas të huaj ose të kufizojnë aktivitetin. Sektori karakterizohet gjithashtu nga hyrje dhe dalje të shpeshta nga tregu, pasi hapja e një lokali mbetet relativisht e lehtë, por mbijetesa afatgjatë nuk është gjithmonë e garantuar.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat